PJESËMARRJA E FËMIJËVE

Prezantim i Kursit në CHILDHUB

PJESËMARRJA E FËMIJËVE

Prezantim i Kursit

Mirëserdhët  në kursin e ChildHub për Pjesëmarrjen e Fëmijëve

Ky kurs është përgatitur për stafet e qendrave të përkujdesit për fëmijë; punonjësit për mbrojtjen e fëmijëve; stafet lokale dhe ndërkombëtare  të organizatatave që punojnë me dhe për fëmijët; edukatorët; psikologët; punonjësit socialë dhe profesionistë të komunitetit që punojnë me fëmijë; të cilët dëshirojnë të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të mësojnë më shumë për të ndihmuar fëmijët të marrin pjesë në vendime të shëndetshme që lidhen me jetën dhe zhvillimin e tyre.

Si profesionistë të angazhuar me fëmijët, ne  kemi shumë ndikim në jetën e tyre, por sa të ndërgjegjshëm jemi për masën në të cilën vendimmarrja, advokacia apo i gjithë aktiviteti ynë profesional, mbështetet, ushqehet dhe buron nga vetë fëmijët? Ky kurs është hartuar për profesionistët, sidomos ata që punojnë direkt me fëmijët të cilët duan të bëjnë realitet pjesëmarrjen kuptimplotë të fëmijëve, përpos sfidave që ajo mbart. Ekziston një dallim midis pjesëmarrjes së fëmijëve në komunitet dhe pjesëmarrjes në çështje individuale të cilat ndikojnë në jetët e tyre si individë. Megjithëse ky kurs fokusohet specifikisht tek fuqizimi individual i fëmijëve, ai gjithashtu kontribuon për të kuptuar pjesëmarrjen si një proces më të gjerë të cilin çdo profesionist duhet ta njohë dhe zbatojë. 

Struktura e kursit

Kursi është ndarë në 9 module të shkurtra të cilat plotësojnë njëra - tjetrën. Modulet janë një përzierje literature ushtrimesh ndërvepruese, raste studimore, skenare dhe regjistrime të shkurtra filmike. Përgjatë moduleve do të udhëzoheni hap pas hapi, dhe në fund të secilit prej tyre ka një listë të shkurtër me lexime dhe referenca shtesë nëse dëshironi të thelloheni në njohuritë tuaja.

Kursi përmban tre module THEMELORE të cilat DUHET t’i plotësojë çdo pjesëmarrës.

MODULI THEMELOR 1: Kuptimi i pjesëmarrjes së fëmijëve dhe rëndësia e saj

 Ky modul bazë hyrës në kurs do t’ju ndihmojë të kuptoni pjesëmarrjen e fëmijëve dhe   rëndësinë e saj.

MODULI THEMELOR 2: Rëndësia e vlerave dhe qëndrimeve për realizimin e pjesëmarrjes së fëmijëve

Ky modul do t’ju ndihmojë të shqyrtoni vlerat bazë dhe qendrimet që duhet të udhëheqin praktikat për inkurajimin e pjesëmarrjes së fëmijëve. Mundësimi i pjesëmarrjes nënkupton se ju duhet të keni disa vlera dhe qendrime korrekte të caktuara që udhëheqin  punën tuaj. Ky modul ju ndihmon për të rishikuar disa prej këtyre vlerave e qendrimeve dhe prezanton disa koncepte të dobishme, të cilat ndihmojnë pjesëmarrjen kuptimplotë.

 MODULI THEMELOR 3: Aftësitë praktike që nxisin dhe mbështesin pjesëmarrjen e fëmijëve

Ky modul përqendrohet tek aftësitë kyçe të cilat duhet të zbatoni për të komunikuar në mënyrë efektive me fëmijët dhe të inkurajoni pjesëmarrjen e tyre. Këto këshilla dhe të dhëna praktike të udhëhequra nga principet e praktikës psiko-sociale, do të tentojnë të tregojnë mënyrat reale se si duhet të lidheni me fëmijët dhe familjet e tyre.

 Modulet e Praktikës

Kur të keni mbaruar tre modulet themelore, do të keni mundësi të zgjidhni nga gjashtë modulet e PRAKTIKËS. Mund të zgjidhni t’i ndërmerrni të gjitha këto module të praktikës por, për të marrë certifikatën e këtij kursi ju duhet të kryeni të paktën katër nga modulet e praktikës.

Pesë modulet e para të praktikës fokusohen në grupe të caktuara të fëmijëve, tek të cilët realizimi i pjesëmarrjes kuptimplotë mund të jetë veçanërisht sfidues. Moduli i fundit i praktikës është për realizimin e pjesëmarrjes së fëmijëve gjatë punës me prindërit. Përgjatë moduleve do t”ju jepen mënyra dhe strategji për realizimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në praktikë. Ju mund të shfletoni çdo modul, ose mund të hyni tek një modul specifik në varësi të veçantive të fëmijëve të cilët janë pjesë e punës suaj.

 Modulet e praktikës janë:

1: Fëmijët me aftësi të kufizuara

2: Fëmijët në konflikt me ligjin

3: Fëmijët në institucione

4: Fëmijët e prekur nga sëmundjet e shëndetit mendor

5: Fëmijët romë

6: Prindërit

Nëse plotësoni tre modulet themelore dhe katër nga gjashtë modulet e praktikës, ju do të merrni një certifikatë të përfundimit të kursit nga Centre of Excellence for Looked After Children in Scotland (CELCIS) e Universitetit të Strathclyde në Skoci.